
10 sekrete për seks të mrekullueshëm
Adrenalina, tërheqja intensive apo gjërat që di të bëjë pala tjetër në shtrat; çfarë është ajo që e bën një takim seksual kaq të mrekullueshëm? Një ekip kërkimor u nis t'i përgjigjej kësaj pyetjeje dhe kohët e fundit ka publikuar gjetjet e tij në një studim novator të botuar në Canadian Journal of Human Sexuality (CJHS) (Revista kanadeze e seksualitetit njerëzor) me titull "The Components of Optimal Sexuality: A Portrait of 'Great Sex'" (Përbërësit e seksualitetit optimal: Portret i seksit të mrekullueshëm). Ekipi e përqendroi vëmendjen te identifikimi i karakteristikave specifike që përbëjnë ‘seksin e mrekullueshëm’. Hulumtimi u krye me shpresën për të rrëzuar mitet seksuale dhe për të ofruar një pamje më të gjerë, të bazuar në një spektër të seksualitetit. Rezultati i një pune të tillë u ofron njerëzve një mënyrë të re për të parë "potencialin erotik njerëzor dhe për të zgjeruar kuptimin tonë për atë që mund të jetë seksi".
Hyrje në studim
Të dhënat u mblodhën nga përgjigjet e intervistave të hollësishme, që zgjatën nga dyzet e pesë minuta deri në dy orë. Qëllimi kryesor i pyetjeve ishte të mësohej më shumë për seksualitetin optimal duke mësuar për përvojat më të mira seksuale të personave të intervistuar, dhe më pas duke i tabeluar përgjigjet e tyre për të nxjerrë faktorët më të zakonshëm. Studimi i bazoi gjetjet në gjithsej gjashtëdhjetë e katër persona pjesëmarrës, një mostër e larmishme e popullsisë. Personat e intervistuar ishin burra dhe gra, me mosha, origjinë etnike dhe orientim seksual të ndryshëm; disa u identifikuan edhe si persona poliamorë, si persona që praktikojnë S&M, si dhe si persona që punojnë në terapinë seksuale. Mosha e personave pjesëmarrës varionte nga njëzet e tre deri në tetëdhjetë e dy vjeç.
Nga se përbëhet seksi optimal?
Seksi është subjektiv. Shumë nga personat që morën pjesë në studim e shprehën kështu: "askush nuk mund ta përkufizojë thjesht 'seksin e mrekullueshëm' për dikë tjetër". Megjithatë, përgjigjet e tyre zbuluan shumë të përbashkëta, pavarësisht dallimeve në stilin e jetesës, moshë dhe orientim seksual. Në fund të fundit, studimi tregoi se "mund të ketë shumë rrugë për të përjetuar seks të mrekullueshëm, por vetë përvoja mund të jetë shumë e ngjashme te individë të ndryshëm".
Gjatë kërkimit u identifikuan dhjetë përbërës kyç të përvojave seksuale fenomenale. Tetë prej tyre u konsideruan domethënës, sepse dolën më shpesh dhe u theksuan fort nga pothuajse gjithkush që u intervistua. Dy të fundit u cilësuan si të pamjaftueshëm në vetvete për të qenë aspekte të domosdoshme të seksit të mrekullueshëm, por ekipi kërkimor i konsideroi gjithsesi të denjë për t'u përmendur në studim.
1. Prania, përqendrimi dhe lidhja me trupin
Ndjesia e "zhytjes së plotë në moment", e harmonisë së plotë me ndjesitë që përjetohen gjatë seksit të mrekullueshëm, u përmend nga personat e intervistuar më shpesh se çdo karakteristikë tjetër e një përvoje seksuale ideale.
Një tjetër aspekt dallues ishte aftësia e personave të intervistuar dhe e gjysmave të tyre seksuale për t'u lëshuar plotësisht gjatë seksit. Nuk i pengonte asnjë shpërqendrim, si ‘komenti i drejtpërdrejtë’ mendor që shumë njerëz e kanë të vështirë ta ndalin.
2. Lidhja, harmonizimi, shkrirja, sinkronizimi
Shumë nga personat e intervistuar besonin se një lidhje e thellë midis dy njerëzve, pavarësisht nga kohëzgjatja e marrëdhënies (nga disa orë deri në disa vjet), ishte një përbërës kyç i bashkimit seksual optimal. Disa e përshkruan si një ndjesi sinkronie gjatë kontaktit intim dhe si një ndjenjë shkrirjeje, një "humbje të kufijve personalë, një humbje të qartë të ... vetëdijes për veten në kuptimin e ndarjes nga pala tjetër". Në përshkrime të tjera, ajo u cilësua si një energji e fuqishme dhe një ndjenjë lidhjeje që ndizet midis dy individëve.
Interesant është se, me gjithë këtë bisedë për shkrirje dhe bashkim, personat që iu përgjigjën me më shumë pasion këtij aspekti të seksit vunë re se sa më e fortë të ishte lidhja me veten (një ndjenjë e fortë identiteti), aq më lehtë u vinte të lëshoheshin me dikë tjetër. Përveç kësaj, theksuan nevojën për të vendosur kufij të qartë, për ta pranuar veten ashtu siç janë dhe për të ndier respekt nga gjysma e tyre.
3. Intimitet i thellë seksual dhe erotik
Thelbi i kësaj kategorie është të përfytyrosh rrymën nëntokësore të intimitetit që dy njerëz zhvillojnë shumë kohë përpara se të bëjnë seks në të vërtetë. Paneli pohoi një lidhje të fuqishme midis intimitetit erotik dhe ndjenjës së sigurisë/mbrojtjes në një marrëdhënie. Kjo afri mund të burojë nga një "respekt i thellë i ndërsjellë, kujdes, pranim i sinqertë dhe admirim". Në lidhje me këtë kategori intimiteti, pothuajse gjithkush që mori pjesë në këtë studim theksoi rëndësinë e një ndjenje të thellë besimi midis çifteve të dashuruara.
4. Komunikim i jashtëzakonshëm, empati e shtuar
Theksi te komunikimi nuk ka të bëjë aq shumë me aftësitë teknike të komunikimit, sa me aftësinë e njerëzve për ta ndarë veten me tjetrin vërtet dhe lirshëm. Personat pjesëmarrës theksuan rëndësinë e të dëgjuarit me vëmendje dhe të kujdesit ndaj sinjaleve verbale dhe joverbale. Përsëritën gjithashtu rëndësinë e aftësisë "për të kuptuar (në një kontekst seksual), edhe pa ta thënë njeri, çfarë lloj prekjeje dhe në cilin moment shkakton një reagim të caktuar te gjysma jote, dhe çfarë jo." Komunikimi joverbal u pa si një përbërës jetik i seksit transcendent. Për ta mishëruar me sukses këtë element të seksualitetit, personat e intervistuar theksuan përgjegjësinë individuale për të arritur pjekurinë emocionale që duhet për të njohur nevojat dhe dëshirat e veta, në mënyrë që t'ua përcjellin ato gjysmave të tyre.
5. Autenticiteti, sinqeriteti, mungesa e frenave, transparenca
Një grua i përmblodhi këto cilësi si "seks ku mund të thuash gjithçka dhe të jesh gjithçka". Autenticiteti në një marrëdhënie seksuale nënkupton shprehjen e plotë të vetes, pa frena dhe pa ndrojtje. Ndërsa rezultatet e këtij studimi vazhdimisht theksojnë rëndësinë e 'të lëshuarit' në marrëdhënie, të dhënat e personave pjesëmarrës vërtetuan një tjetër përfundim të rëndësishëm; sinqeriteti i plotë me një qenie tjetër njerëzore ka një efekt tepër të fuqishëm emocionalisht dhe seksualisht. ‘Zhveshja e plotë’ u konsiderua nga shumëkush çliruese dhe një përbërës i rëndësishëm i seksit të mahnitshëm. Ajo u jepte gjithashtu gjysmave të tyre lirinë të bënin të njëjtën gjë.
Personat e intervistuar ia atribuuan një pjesë të madhe të suksesit të tyre në arritjen e një gjendjeje të tillë sigurie dhe sinqeriteti heqjes dorë nga mitet seksuale kufizuese dhe nga pritshmëritë jorealiste në lidhje me erotizmin.
6. Transcendenca, lumturia e plotë, paqja, transformimi, shërimi
Ndjenjat e “lumturisë së plotë, paqes, mahnitjes, ekstazës dhe thellësisë shpirtërore” ishin tiparet dalluese të seksit të jashtëzakonshëm. Disa e krahasuan përvojën me ndjesinë transcendente që arrihet gjatë meditimit, ndërsa në përshkrime të tjera ajo sillte ndër mend mungesën e kohës dhe ndjesinë e pafundësisë. Të besosh gjysmën tënde aq sa ta lejosh veten të përjetosh një intensitet të tillë u pa si baza themelore e këtyre faktorëve.
7. Eksplorimi, marrja e rreziqeve ndërpersonale, argëtimi
Personat pjesëmarrës në këtë studim shpjeguan se seksi i mrekullueshëm ishte për ta një mjet për të zbuluar veten. Duke marrë rreziqe dhe duke shtyrë kufijtë e tyre seksualë, ndienin aventurë dhe rritje personale, e cila nga ana e saj nxit zhvillim dhe zbulim të mëtejshëm. Shumë prej tyre ranë dakord edhe për këtë: “Çfarë është seksi pa pak argëtim dhe të qeshura?”
8. Cenueshmëria dhe dorëzimi
Aftësia për t'ia dorëzuar veten gjysmës sate ishte faktori dallues midis seksit të zakonshëm dhe atij të mahnitshëm. Gatishmëria për t'u lëshuar dhe për ta pranuar cenueshmërinë ishte ndër karakteristikat që u mundësonin njerëzve të arrinin këtë gjendje braktisjeje seksuale ndërpersonale. Ka një mënyrë për të kuptuar nëse po i dorëzohesh vërtet seksit me gjysmën tënde; siç e tha një person i intervistuar, në marrëdhëniet e zakonshme, "Ka gjithmonë disa pengesa, ndoshta të vogla, por të dallueshme, disa gjëra që mbahen mbrapa. Në seksin e mrekullueshëm, mendoj se ato (për mua) zhduken".
9. Ndjesia fizike intensive dhe orgazma
U paraqitën një sërë mendimesh për rolin që luajnë orgazmat në seksin e mrekullueshëm. Si burrat, ashtu edhe gratë ranë dakord se orgazma nuk ishte e domosdoshme që një përvojë seksuale të konsiderohej e jashtëzakonshme. Megjithatë, vunë re se orgazmat dukej se vinin natyrshëm gjithsesi kur bënin 'seks të mrekullueshëm'. Disa nga personat e intervistuar theksuan edhe kënaqësinë që u jepte një ndërtim i ngadaltë i ndjesive drejt kënaqësisë.
10. Epshi, dëshira, kimia, tërheqja
Një përfundim mbresëlënës i nxjerrë nga rezultatet e këtyre intervistave ishte roli që luanin epshi dhe dëshira në seksin e mahnitshëm. Ato hynë në listën 'Dhjetëshja e parë' jo sepse kishin vlerë më vete, por për shkak të ndikimit të tyre kur përjetohen reciprokisht. Pavarësisht nëse tërheqja e ndërsjellë vinte nga epshi apo nga simpatia, kimia e fuqishme ndikonte pozitivisht në mënyrën si perceptohej seksi.
Terren i ri në studimin e seksualitetit
Studimi zbuloi se mungonte kërkimi i vlefshëm mbi natyrën e seksit të mrekullueshëm, duke vënë në dukje se fusha e shëndetit seksual disponon në fakt "të dhëna minimale për kufijtë më të largët të potencialit seksual njerëzor". Gjithashtu theksoi se studimet e tjera priren të mos e marrin parasysh spektrin më të gjerë të funksionit seksual; ose kanë një qasje më bardh e zi, ose i kushtojnë shumë vëmendje trajtimit të disfunksioneve.
Mendime përfundimtare
Një nga rezultatet më domethënëse të këtij studimi ishte se 'aktet' e kryera gjatë seksit u konsideruan të parëndësishme krahasuar me "mendësinë dhe synimin e personit ose të çiftit që i kryen këto akte". Këto gjetje nxjerrin përfundime të fuqishme për seksin dhe funksionimin e shëndetshëm, pikërisht që njerëzit nuk kanë nevojë të kërkojnë jashtë vetes për të arritur seks të mrekullueshëm. Një përqendrim i tepërt te mekanizmat fizikë të seksit nuk do të jetë në tërësi aq përmbushës sa përfitimet emocionale, shpirtërore dhe psikologjike të pranisë, të lidhjes me trupin dhe të cenueshmërisë gjatë seksit. Përveç kësaj, studimi nxit "rehatinë me veten, eksplorimin personal dhe ndërpersonal, zbulimin dhe pranimin". Kushdo që arrin këtë nivel rritjeje ka më shumë gjasa të marrë rreziqe si në seks, ashtu edhe në planin psikik, dhe mund të zbulojë cilësi erotike që as nuk e dinte se i kishte!


