
Biseda për SST
Ja ku je ... mjaftuan vetëm disa takime për të kuptuar se dëshiron të ndizesh dhe të shkosh në shtrat me një person të ri të mrekullueshëm. Ka vetëm një gjë: duhet t'i tregosh se ke një sëmundje/infeksion seksualisht të transmetueshëm (SST/IST), të vazhdueshëm ose (ndoshta) të përhershëm, dhe se ekziston mundësia që ta transmetosh. Nëse hapja e kësaj teme të bën të ndihesh në siklet, nuk ndodh vetëm me ty.
Të ndash me dikë faktin që ke një sëmundje ose infeksion ngjitës mund të jetë stresuese, edhe nëse e ke bërë më parë. Në mendje mund të të vijnë shumë mendime, si: "Si ta nxjerr në bisedë? ... Kur? ... A duhet të pres derisa të jemi gati për seks? ... Si do të reagojë dhe çfarë do të mendojë për mua?"...
Reagimet e mundshme dhe emocionet e forta që përfshihen janë të shumta. Pasi njeh dikë për të cilin ke interes romantik, hapja e temës së një SST/IST e çon bisedën për seksin e sigurt në një nivel krejt të ri. Atëherë, cila është mënyra e duhur për t'i folur gjysmës sate të ardhshme për një SST/IST?
Pranimi i realitetit
Detyra për t'i treguar gjysmës sate të ardhshme për një SST/IST që ke tani ose që të shoqëron prej kohësh bëhet më pak e rëndë nëse e ke pranuar vetë më parë. Marrja e një sëmundjeje seksualisht të transmetueshme mund të mos ketë qenë e parashikueshme - edhe me masat më të kujdesshme paraprake - por fakti mbetet se është një realitet që mund të mos ndryshojë kurrë. Mohimi i gjendjes vetëm do ta zgjasë vuajtjen tënde dhe do të të izolojë nga të tjerët.
Mos mendo se një SST/IST shënon fundin e jetës sate seksuale. Për të vazhduar të kesh vetëvlerësim pozitiv dhe një jetë seksuale të plotë, duhet mësuar të jetosh me praninë e një sëmundjeje veneriane sa më mirë që të jetë e mundur, duke e menaxhuar me vetëbesim dhe siguri. Kjo mund të arrihet përmes ushtrimeve për fuqizimin personal dhe informimit për SST/IST.
Si ta kuptoj se jam gati të flas për këtë?
Në cilën pikë të lidhjes duhet ta hapësh temën? A duhet ta nxjerrësh herët, gjatë fazave të para të njohjes, apo të presësh derisa mundësia për një lidhje seksuale të bëhet e dukshme? Kjo është krejtësisht zgjedhje personale dhe ndryshon nga njëri person te tjetri. Ndarja e një informacioni kaq intim varet nga disa faktorë, si dinamika jote me atë person të caktuar, sa vetëbesim ndien mes njerëzve që nuk i njeh dhe mendimet që ai person ka shprehur në biseda të rastit.
Meqë nuk ka asnjë mënyrë për të parashikuar reagimin e dikujt, mos harxho energji të panevojshme për "po sikur" dhe, mbi të gjitha, shmang projektimin e gjykimeve dhe ndjenjave të tua te të tjerët. Disa njerëz do të reagojnë negativisht ndaj lajmit, por të tjerëve as që do t'u dridhet qerpiku. Në vend që të shqetësohesh për atë që do të mendojnë, dëgjoje më me vëmendje intuitën tënde dhe përdore si treguesin kryesor për të vendosur nëse ta tregosh.
Si ta nxjerr në bisedë SST/IST që kam?
Pasi të kesh vendosur ta diskutosh SST/IST që ke me gjysmën tënde të mundshme, paraqite informacionin sa më neutralisht, duke i kushtuar kujdes gjuhës së trupit dhe mënyrës si flet. Jepi kohë ta përpunojë informacionin. Është e mundur që i duhet pak distancë që ta tretë - që do të thotë se mund të duhet një ose dy ditë, apo edhe një javë. Nëse ky person ka rëndësi për ty, respekto nevojën që ka për të marrë një vendim pa presion, sidomos nëse ka ndjenja për ty.
Një nga mënyrat më të mira për të fituar vetëbesim kur flet për SST/IST që ke është të informohesh për këtë gjendje. Lexo artikujt tanë dhe pyet në një vizitë mjekësore ose personelin shëndetësor që të ndjek se ku mund të gjesh burime të tjera informacioni të besueshme dhe të përditësuara. Mëso faktet dhe ofrohu t'ia tregosh gjysmës sate, ose nxite të kërkojë vetë informacion.
Ku dhe kur?
Zgjidh një kohë dhe një vend neutral; me fjalë të tjera, ku nuk do të të ndërpresin ose të të shpërqendrojnë. Biseda gjatë një shëtitjeje është ide e mirë, po ashtu edhe pas një vakti apo duke pirë një filxhan kafe. Ruaj qetësinë dhe paraqit faktet. Do të jetë shumë më e vështirë për gjysmën tënde të reagojë objektivisht nëse po e përdor rastin për të qartësuar emocione që ende nuk i ke sistemuar. Të jetosh me një SST/IST nuk do të jetë gjithmonë e lehtë, prandaj ndihmon të punosh për rritjen personale dhe pranimin e vetes para se të hysh në një lidhje seksuale.
Po sikur të reagojë keq?
Meqë nuk dëshiron të përçosh energji negative, është më mirë të mos presësh më të keqen. Megjithatë, përgatitu për çdo përfundim, pozitiv apo jo. Nëse gjysma jote e mundshme nuk pranon të ketë lidhje seksuale me ty, përpiqu të mos e marrësh refuzimin si diçka personale. Ky person po merr një vendim të vetëdijshëm dhe të informuar për seksualitetin e vet, një zgjedhje që meriton respekt. Nëse e ke marrë vetë një SST/IST pa e ditur, e di nga përvoja se do të kishe dashur t'i dije të gjitha faktet para se të hyje në një lidhje seksuale. Gjëja e fundit që dëshiron është t'i bësh presion dikujt ose t'i ngjallësh faj që të bëjë seks, vetëm për të zbuluar më vonë se ka marrë të njëjtën SST/IST.
Kërko mbështetje te të tjerët
Ushtrohu të flasësh me zë për SST/IST që ke. Mund të dëshirosh edhe të bësh një ‘lojë me role’ me dikë që i beson, që të të japë komente konstruktive për mënyrën si e thua. Kërko këshillim individual nëse të duhen këshilla një me një. Shfleto forume online ose rrjete mbështetëse komunitare për udhëzim dhe mbështetje. Ka edhe faqe takimesh të krijuara posaçërisht që personat që kanë një SST/IST të njihen mes tyre. Për shkak të përhapjes së gjerë të SST/IST, ka shumë njerëz që e dinë saktësisht se çfarë po kalon; përvojat e tyre mund të të frymëzojnë të ngrihesh mbi kufizimet personale dhe shoqërore. Sa më rehat të ndihesh me faktin që ke një SST/IST, aq më e lehtë - dhe me më pak ankth - do të jetë të përballesh me personat me të cilët do të kesh lidhje në të ardhmen.
Mendime përfundimtare
Nëse zgjedh të bësh seks pa e treguar SST/IST që ke, mund t'i vësh të tjerët në rrezik që ta marrin gjithashtu, të vuajnë dhimbje dhe potencialisht t'u rrezikohet jeta. Nëse e ke marrë një SST/IST papritur, e di vuajtjen fizike dhe/ose emocionale që mund të shkaktojë. Mos ua shkakto të tjerëve të njëjtën gjë - jo vetëm që në disa shtete është e paligjshme, por është e padrejtë dhe nuk e ndryshon faktin që kjo të ka ndodhur ty.
