Kalo te përmbajtja kryesore
Udhëzuesit › Shtatzënia e paplanifikuar
Shtatzënia e paplanifikuar

Shtatzënia e paplanifikuar

1

Një rezultat pozitiv në testin e shtatzënisë është lajm emocionues për disa njerëz … por kur të bëhesh prind është gjëja e fundit që ke në mendje, ky rezultat mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë për t'u përballuar; pasojat e tij ta ndryshojnë jetën, në një mënyrë a në një tjetër.

Vazhdimi i shtatzënisë ose vendimi për ta ndërprerë atë është zgjedhje personale - dhe ne nuk promovojmë e as mbështesim asnjë opsion të caktuar. Në fund të fundit, gjithçka varet nga marrja e një vendimi të informuar dhe shpresojmë që ky artikull të ofrojë një bazë të mirë për shqyrtimin e këtyre opsioneve.

Çfarë është shtatzënia e paplanifikuar?

Shtatzënia mund të ndodhë pasi një mashkull ejakulon në vaginën e një femre, ose kur lëngu paraejakulator apo sperma futet në vaginë ose bie pranë saj, prandaj tërheqja nuk është metodë e besueshme. Edhe pse gjasat që një grua të mbetet shtatzënë janë më të mëdha ose më të vogla në pika të ndryshme të ciklit të saj - ngjizja është e mundur në çdo kohë, madje edhe gjatë menstruacioneve! Përmes një procesi që quhet fekondim, spermatozoidi i mashkullit shkrihet me vezën e femrës dhe nis zhvillimi i shtatzënisë.

Një shtatzëni e padëshiruar ose e paplanifikuar mund të quhet e tillë kur një çift ngjiz një fëmijë aksidentalisht, pa pasur qëllim të ketë një fëmijë bashkë. Shtatzënia e papritur mund t'i ndodhë çdo gruaje në moshë riprodhuese dhe mund të ndodhë edhe kur ajo dhe pala tjetër përdorin metoda dhe/ose mjete për ta parandaluar.

Përhapja

Në mbarë botën, vlerësohet se çdo vit ndodhin rreth 121 milionë shtatzëni të paqëllimshme dhe rreth gjashtë në dhjetë prej tyre përfundojnë me abort të provokuar.

National Center for Health Statistics (Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore, NCHS) publikoi në vitin 2002 një botim të quajtur National Survey of Family Growth (Anketa Kombëtare për Rritjen e Familjes). Në popullsinë që jeton në banesa private në Shtetet e Bashkuara, gati gjysma e të gjitha shtatzënive (45% në vitin 2011) ishin të paqëllimshme, rreth 2.8 milionë në vit; prej tyre, rreth katër në dhjetë përfunduan me abort.

Çfarë i shkakton këto shifra kaq të larta?

Një editorial i botuar në revistën Contraception në vitin 2008 vuri në dukje faktorët e mëposhtëm: dështimi ose përdorimi i gabuar i një metode a mjeti kontraceptiv; mungesa e qasjes në forma të përshtatshme kontracepsioni; mungesa e një edukimi seksual të mjaftueshëm; sikleti i përgjithshëm i shoqërisë me temat që lidhen me seksualitetin; varfëria; "komunikimi i dobët mes njerëzve që bëjnë seks bashkë"; supozimet joreale për rrezikun e një shtatzënie; pranimi në rritje (nga publiku i gjerë) i lindjeve jashtë martese; një kulturë e mbiseksualizuar që nuk e paraqet seksualitetin me përgjegjësi; dhe shërbimet që ofrojnë kontracepsion, të cilat nuk arrijnë t'i përfshijnë sa duhet njerëzit që u drejtohen në biseda për seksin, kontracepsionin dhe shtatzëninë.

Kush rrezikohet më shumë?

Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e madhe e shtatzënive të paplanifikuara ndodhin në moshën e adoleshencës. Sipas revistës mjekësore Contraception, "Një në tri vajza mbetet shtatzënë të paktën një herë para se të mbushë njëzet vjeç."

Problemi është më i përqendruar te njerëzit në moshë të re pa lidhje; arsyeja është kjo: kanë pasur pak njohje me temat e shëndetit seksual dhe me edukimin për planifikimin familjar, mitet dhe dezinformimi i prekin më shumë se këdo, dhe kanë përvojën më të pakët (krahasuar me njerëzit që bëjnë seks prej më shumë kohësh) në të bërit seks me përgjegjësi dhe në përdorimin e saktë të kontracepsionit.

Cilët janë faktorët në përballimin e saj?

Ka shumë çështje që ndikojnë në mënyrën se si një person e përballon një ngjizje të paqëllimshme. Në këtë moment, me rëndësi jetike është qasja e çiftit në informacion të saktë - si edhe këshillat që merr nga personeli shëndetësor, familja dhe shoqëria.

Parimet morale, etike dhe fetare mund të ndikojnë në atë se si ndihet një person përballë zgjedhjes mes lindjes së fëmijës dhe ndërprerjes së shtatzënisë. Faktorët socio-ekonomikë janë thelbësorë; stabiliteti financiar i të dy prindërve do të luajë rol në vendim, si edhe mënyra se si një fëmijë mund të ndikojë në arsimimin ose punësimin e ardhshëm. Disa njerëz marrin parasysh edhe se si një fëmijë i ri do të ndikojë në mirëqenien e fëmijëve që kanë tashmë dhe në marrëdhënien mes nënës dhe babait.

Çifti mund të mos dojë ta rrisë një fëmijë në mjedisin ku jeton, ndërsa disa çifte të tjera duan t'i kursejnë foshnjës defekte të mundshme fizike për shkak të përdorimit të drogës ose alkoolit para (apo edhe gjatë) shtatzënisë. Ka edhe njerëz që thjesht nuk janë gati të bëhen prindër, sepse mendojnë se janë ende në moshë shumë të re, se nuk janë përgatitur ose se nuk e përballojnë dot për një sërë arsyesh të tjera.

Dështimi i kontracepsionit

Guttmacher Institute (Instituti Guttmacher) raporton se praktikisht njëqind për qind e grave të Amerikës së Veriut që kanë kryer marrëdhënie seksuale dhe janë mes moshës pesëmbëdhjetë dhe dyzet e katër vjeç kanë përdorur të paktën një metodë kontraceptive. Për më tepër, rreth gjashtëdhjetë për qind e tyre ende përdorin një të tillë aktualisht.

Te gratë në moshë riprodhuese, metodat më të zakonshme të kontracepsionit janë ato me efekt lehtësisht të kthyeshëm, të kryesuara nga Pilula kontraceptive, Pajisja intrauterine (IUD, spiralja) dhe prezervativi mashkullor. Mosha, faktorët socio-ekonomikë dhe fakti nëse kanë qenë të martuara ose kanë pasur tashmë fëmijë janë faktorë përcaktues në zgjedhjen e kontraceptivit.

Edhe me përdorim të përsosur, metodat kontraceptive kanë ende mundësi të dështojnë; disa forma kanë rrezik shumë më të lartë për shtatzëni të paplanifikuar, si Tërheqja ose Ndjekja e ditëve pjellore. Kur mbështetesh te një mjet ose ilaç, sfungjeri, spermicidet, prezervativët mashkullorë dhe kapuçët cervikalë kanë zakonisht shkallën më të lartë të shtatzënive të paplanifikuara - si me respektim të rreptë, ashtu edhe me respektim mesatar të mënyrës së rekomanduar të përdorimit. Pilula kontraceptive, përkundrazi, dështon te më pak se 1 në 100 gra në vit me përdorim të përsosur dhe te rreth 7 në 100 me përdorimin tipik, kur pilulat harrohen ose merren me vonesë.

Mbaj parasysh se ekzistojnë metoda kirurgjikale që janë mënyra pothuajse - por jo plotësisht - të sigurta për të parandaluar ngjizjen; këto janë Lidhja e tubave dhe Vazektomia.

Metoda e vetme plotësisht e sigurt për të parandaluar një shtatzëni të paqëllimshme është Abstinenca. Përdorimi i kësaj teknike nuk do të thotë që një çift nuk mund të shijojë forma të tjera stimulimi të këndshëm. Ka shumë të tilla: masturbimi, masazhi sensual, masazhi seksual (p.sh. masturbimi me dorë ose stimulimi vaginal me gishta) ose përdorimi i lodrave seksuale.

Seksi oral është një tjetër metodë e shkëlqyer për t'i dhënë kënaqësi gjysmës sate pa rrezik shtatzënie, por sjell pasoja të tjera që duhen marrë parasysh, kryesisht sëmundjet seksualisht të transmetueshme. SST/IST-të më të zakonshme që mund të transmetohen përmes seksit oral, kunilingus dhe/ose felacio, përfshijnë virusin Herpes simplex, virusin e papilomës njerëzore (HPV), gonorrenë, klamidien dhe sifilizin.

Çfarë të bësh me një shtatzëni të paplanifikuar

Pilula e së nesërmes është vija e parë e mbrojtjes që ka një grua kundër shtatzënisë. Duhet marrë sa më shpejt të jetë e mundur pas seksit, në mënyrë ideale brenda shtatëdhjetë e dy orëve (disa lloje veprojnë deri në pesë ditë), pasi vepron kryesisht duke e shtyrë ovulacionin. Konsiderohet formë kontracepsioni emergjent dhe nuk është menduar për përdorim të rregullt; në shumë vende, përfshirë SHBA-në, shitet në farmaci pa recetë. Mbaj parasysh se mund të ketë efekte anësore të dhimbshme.

Pasi ndodh ngjizja, një grua ka disa opsione se si do të vazhdojë me shtatzëninë e saj. Secili prej tyre ka rreziqet e veta, si edhe pasoja afatshkurtra dhe afatgjata. Një rrugë është ta mbajë fetusin deri në fund të shtatzënisë dhe ta mbajë foshnjën, ose ta japë për birësim. Përndryshe, ndërprerja e qëllimshme e shtatzënisë duke hequr fetusin ose embrionin nga mitra quhet abort. Rreth katër në dhjetë shtatzëni të paqëllimshme në SHBA ndërpriten në këtë mënyrë, më shpesh me medikamente ose me një procedurë kirurgjikale. Sipas librit "The Gynecological Sourcebook" (2003), afërsisht dyzet e tre për qind e grave kanë bërë të paktën një abort të provokuar deri në moshën dyzet e pesë vjeç. (Edhe pse nuk është vërtet një 'opsion', ka edhe shkaqe natyrore ose komplikime të shtatzënisë që mund të shkaktojnë një abort spontan, që njihet edhe si humbje e shtatzënisë. Kjo mund të ndodhë në fazat e hershme të shtatzënisë, zakonisht brenda tre muajve të parë pas fekondimit.)

Pyet në ambulancën ku ndiqesh, në klinikën vendore të Planifikimit Familjar ose kërko në internet për më shumë informacion dhe burime vendore se si të parandalosh ose si të përballosh një shtatzëni të paqëllimshme.

Mendim përfundimtar

Kushdo që zgjedh të ketë një jetë seksuale aktive duhet ta kuptojë se rrezikon një shtatzëni, edhe kur përdor kontracepsion. Kur dikush nuk dëshiron të ketë fëmijë, bëhet edhe më e rëndësishme të marrë masa që e ulin rrezikun. Mëso si funksionojnë gjasat e shtatzënisë, praktiko seks të sigurt (ose abstinencë) dhe merr parasysh përdorimin e dy metodave kontraceptive njëherësh, si për shembull pilulën bashkë me prezervativin.


Udhëzues të ngjashëm

Ndaj


Shto koment

Kërkohet hyrja

Duhet të hysh në llogari për ta përdorur këtë veçori.